Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga loti i tretë i aksit rrugor që po ndërtohet Qukës–Qafë-Plloçë.
Sipas kryeministrit Rama, ky është një segment rrugor që shkurton distancën mes Tiranës dhe Korçës.
“…dhe nga puna e përditshme në lotin 3 të aksit Qukës–Qafë-Plloçë, një segment panoramik që shkurton distancën Korçë -Tiranë, duke kaluar përmes bukurive të Mokrës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Aksi rrugor Qukë–Qafë-Plloçë është projektuar që në vitin 2009, por ende nuk ka përfunduar.
Kredia e parë për financimin e kësaj vepre u firmos në shkurt të vitit 2013 nga Ministria e Financave.
Huaja midis Ministrisë së Financave në emër të Qeverisë Shqiptare dhe dy institucioneve financiare, Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim, arrinte vlerën totale prej 125 milion dollarësh, ndërsa me këtë fond synohej përfundimi i gjithë veprës rrugore.
Punimet për ndërtimin e këtij aksi nisën në korrik të vitit 2015, por ende nuk është e hapur për kalimin e automjeteve.
Ndërkaq, në shtator të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se për të përmbyllur punimet duheshin edhe 105.8 milionë dollarë, prej të cilëve 56.8 milionë dollarë për lotin I dhe II dhe 49 mln dollarë për lotin III.
Sa i përket lotit të III, në gusht të vitit 2022 u nënshkrua marrëveshja e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim me një vlerë prej 49 milionë dollarë, ku ende është duke u punuar për përfundimin e tij.