• Sport

Te Skënderbeu analizojnë krizën/ Trajneri Gvozdenovic ngre tonet ndaj lojtarëve, ekipit i mungon një fantazist

Humbja me Tiranën ka rikthyer sërish një moment krize te Skënderbeu. Paraqitje të lëkundura, lojë që nuk bind, gabime nga skuadra në tërrësi dhe sidomos rezultatet negative dhe mungesa e pikëve, kanë bërë që trajneri Ivan Gvozdenovic të shkundë ekipin dhe të ngrejë tonin e zërit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se gjatë ditës së mërkurë, i gjithë ekipi me në krye trajnerin Gvozdenovic janë mbledhur bashkë  për të zhvilluar një analizë të mirfilltë të gjithë situatës që po kalon aktualisht Skënderbeu. Në analizë është vënë theksi mbi faktin se skuadra bardhekuqe vuan të administrojë si duhet disa situata kyçe të ndeshjeve dhe për pasojë ka humbur, siç ndodhi edhe në javën e fundit kundër Tiranës. Natyrisht që ndoshta dhe ndryshimet që janë bërë nga skuadra e sezonit të kaluar kanë ndikimin e vet. Nëse sulmuesi Bismark ka dhënë sinjale të mira se mund ta zëvendësojë Frenklin, goleadorin e sezonit të shkuar, korçarët nuk kanë një lojtar që të zëvendësojë Dean Liçon, mesfushorin që mbante shiritin e kapitenit dhe që u shit në Turqi gjatë verës. Rolin e Liços trajneri Gvozdenoviç ia ka besuar brazilianit Juri Merlim, që ishte pjesë e Skënderbeut edhe më parë, por duket se ai nuk ka kualitetin e korçarit. Ish-kapiteni kishte aftësinë për të mbajtur më mirë topin, duke u rezistuar ndërhyrjeve të kundërshtarëve, apo dhe duke fituar faulle që i jepnin frymëmarrje skuadrës, kur ajo vuante. Pikërisht një lojtar i tillë duket se i mungon Skënderbeut aktualisht, pasi pjesa tjetër është e njëjtë dhe po bën mirë. Rashica po luan mirë dhe po shënon, Nikaj mbetet i rëndësishëm, ashtu si Rabiu, Prençi që ka marrë shiritin e kapitenit, portieri Alia dhe ndonjë tjetër. Vaskez gjithashtu duket një blerje e mirë për mbrojtjen. Korçarët kanë përpara ndeshjen me Egnatian, që e luajnë në fushën e tyre dhe nuk duhet të gabojnë, pasi kanë rrëshqitur në vend të 8-të në renditje, me 7 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *