Mihal Grameno (Korçë, 13 janar 1871 – 5 shkurt 1931) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, botues dhe shkrimtar shqiptar.
U lind në Korçë, i biri i Ilo Gramenos dhe Lina Mitkos, u shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare, ku më 1889 u zgjodh edhe sekretar i shoqatës “Drita“.
Më 1907 doli kaçak dhe iu bashkua çetës së porsaformuar të Çerçiz Topullit, duke marrë pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Cilësoheshin Apostuj të shqiptarizmës ngase shkonin fshat më fshat të kuvendonin për idenë kombëtare. Grameno si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Më 1908 çeta shkoi të takonte Njazi bej Resnjën për të diskutuar më 23 korrik duke diskutuar për përparësitë që do t’i jepte shqiptarëve shpallja e një kushtetute. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Më 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë 1909–1910. Më 1910 organizata proklamoi themelimin e një kishe shqiptare, dhe nuk u njoh nga Perandoria Osmane. Grameno u arrestua më 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën Bashkimi i Kombit.
Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen Koha të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York ku jetoi nga 1915 deri më 1919. U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës Albania që botonte A. G. Naçe në New York. Pas një viti u kthye në Shqipëri.
Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Veprimtaria publicistike e Mihal Gramenos ndahet në katër etapa:
1) Etapa e parë: Krijimtaria publicistike, që përfshin harkun kohor të viteve 1905-1912, ku përqendrohen lëvizjet për çlirim kombëtar
2) Etapa e dytë: Përfshin shkrime publicistike të viteve 1913-1920, boshtin e së cilës e përbën problemi i ruajtjes së tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe ai i rifitimit të pavarësisë së humbur gjatë kohës së pushtimit të ushtrive ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore
3) Etapa e tretë: Përfshin veprimtarinë publicistike të viteve 1921-1924, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe konsolidimi i tij
4) Etapa e katërt: Përfshin shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos
Veprat
- Mallkimi i gjuhës shqipe, komedia me tri akte, Bukuresht, 1905; rebotim Dh. Koti, Korçë 1921.
- Vdekja e Pirros, tragjedia historike me katër akte, Sofie, 1906.
- Oxhaku, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1913, 1943
- E puthura, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1943.
- Varr’ i pagëzimit, Roman dramatik, Korçë 1909.
- Këngëtore shqipe: Plagët, poezi, Manastir, 1912.
- Kryengritja shqiptare, G. Direttore, Vlorë, 1925.
- Antikat kombëtare. Kujtime, pamflete, portrete. Mbledhur, pajisur me shënime dhe pregatitur për shtyp nga Piro Tako, Naim Frashëri, Tiranë, 1974)