• Korça

KO:SH Film Fest 2023/ Çelet edicioni i 10-të, në konkurim 35 filma

U çel dje në Korçë edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër. “Korça short film fest” do të sjellë për 5 ditë me rradhë për publikun artdashës korçar, 70 filma nga 28 vende të ndryshme të botës, kryesisht shtete të Europës, por edhe nga vende më të largëta si Kina, Katari dhe Venezuela. Drejtori i festivalit Gledis Bica, shprehet se nga rreth 700 aplikime janë përzgjedhur 35 filma të zhanreve të ndryshme, të cilat konkurrojnë në garën kombëtare, ndërkombëtare dhe studentore, teksa ka treguar edhe çmimet që do të ndahen në këtë edicion.

Më tej drejtori i festivalit ka shtuar se synimi i këtij eventi është që edukimi nëpërmjet filmit të shtrihet përgjatë gjithë vitit me nxënësit e shkollave të mesme, duke patur si qëllim final futjen e lëndës së filmit dokumentar si orë mësimore në institucionet arsimore.

Festivali synon të bëjë bashkë në Korçë regjisorë nga e gjithë bota, të shfaqin filmat e tyre, të krijojnë lidhje të reja dhe të zhvillojnë projektet e tyre të ardhshme. Lulzim Hoti, anëtar i jurisë shprehet se festivali ka një rëndësi të veçantë, pasi nuk përbën vetëm një ngjarje kulturore por shërben edhe si potencial zhvillimi për qytetin e Korçës.

Korça Short Film Fest do të zhvillohet përgjatë 5 ditëve ku adhuruesit e filmit do të kenë mundësi të ndjekin tek Kinema Majestic 70 filma me metrazh të shkurtër të tematikave të ndryshme. Edhe ky edicion vjen me mbështetjen e bashkisë Korçë dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Mbrëmjen e 22 shtatorit do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *