Pas shumë vitesh mungese në skenën korçare, kantautori i mirënjohur Mihallaq Andrea, ka mbajtur këtë fundjavë një koncert recital, në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Artisti i cili gjithë jetën ia kushtoi krejtësisht muzikës korçare e veçanërisht serenatave, për t’u bërë më pas me zërin e tij të ëmbël, melodioz dhe krejtësisht të veçantë, pjesë e pandarë e serenatave në Korçë, ka risjellë për publikun këngët e tij të para të shndëruara në hite, por të sjella në një version të ri, bashkë me “All in Band” dhe shumë instrumentistë e vokalistë. Kantautori Mihallaq Andrea është shprehur se risi e këtij koncerti është se serenatat mund të këndohen jo vetëm me kitara por edhe me një orkestër.
Mihallaq Andrea ka sjellë për publikun edhe dy kompozime të reja, teksa ka premtuar se do të ngjitet sërish në skenë.
Ky koncert ka ardhur nën drejtimin muzikor të Rajkard Bardhit dhe me regji nga Blerta Belliu, ndërsa ka sjellë të përpunuara, këngët e para të Andreas, të cilat janë mirëpritur nga publiku korçar, i cili duartrokiti gjatë repertorin e zgjedhur nga krijimtaria ndër vite e artistit.
I ftuar special i kësaj mbrëmjeje ka qënë edhe kantautori Redon Makashi, i cili tha se ishte emocionuese të ngjitej në një skenë me këngëtarin që e dëgjonte që në kohën kur ka qënë fëmijë. Makashi ka vlerësuar rikthimin në skenë të kantautorit dhe krijuesit të shumë hiteve.
Motra e kantautorit, Meri Andrea e cila kishte ardhur enkas nga SHBA për të ndjekur koncertin e të vëllait, tregon se këngët e tij dëgjohen kudo ku ka shqiptarë.
Mihallaq Andrea ka një karrierë të pasur muzikore si kantautor ndërsa në repertorin e tij numërohen mbi 500 tekste e këngë. Ai është dekoruar me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Korçës” dhe “Mjeshter i Madh” nga ish-presidenti i Republikës së Shqiptërisë Bujar Nishani.