OSHEE ka krijuar tashmë për abonentët e saj, një aplikacion të ri përmes të cilit mund të kryhen një sërë shërbimesh pa qenë nevoja e paraqitjes në sportele. OSHEE APP është një aplikacion i cili mund të shkarkohet nga telefonat android dhe IOS dhe lehtësisht krijohet një llogari për abonentë familjarë apo biznese. Në këtë aplikacion mund të kryhet pagesa e faturave të energjisë, mund të merren vërtetime debie që deri më tani aplikimi për to bëhet në sportele dhe vërtetimi merrej për 48 orë ndërsa përmes aplikacionit sigurohet në moment, mund të merret informacion për menaxhimin e kontratave, të llogarisë, njoftime për remont apo edhe të bëhet lidhje të reja në rrjet. Ky aplikacion tashmë është funksional dhe qytetarët e vlerësojnë si një lehtësi.
Ndërkohë në të gjitha sportelet e OSHEE çdo qytetar që has vështirësi në përdorimin e aplikacionit, mund të drejtohet për të marrë ndihmë.