• Korça

Aplikimet për pasaportë dhe kartë identiteti/ Gjatë 2023-shit u shitën mbi 15 mijë kupona në qarkun e Korçës

Mbi 15 mijë kupona që shërbejnë për tu pajisur me pasaporta biometrike dhe karta identiteti janë shitur nga zyrat e Postës Shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë vitit 2023. Fluksi më i madh i aplikimeve për dokumente biometrike shënohet gjithnjë në muajt gusht dhe dhjetor kur dhe numri i emigrantëve që vijnë në vendin tonë për të pushuar është më i lartë dhe gjatë kësaj kohe ata ripajisen me dokumente identifikimi dhe udhëtimi. Burime pranë Postës Shqiptare dega Korçë bëjnë me dije se gjatë vitit të kaluar janë shitur rreth 5500 kupona për karta identiteti si dhe rreth 9500 kupona për pasaporta normale dhe ato ekspres, teksa bëhet e ditur se çmimi i kuponave nuk ka ndryshuar. Gjithashtu pranë Postës Shqiptare janë shitur edhe kupona për leje qëndrimi për shtetasit e huaj, ku gjatë gjithë vitit 2023 janë shitur 50 të tilla. Vetëm gjatë muajit dhjetor, kur shënohet edhe numri më i madh i emigrantëve që vijnë në vendlindje për të festuar festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre, janë shitur mbi 2500 kupona për pasaporta dhe karta identiteti. Burime pranë zyrës së kompanisë shtetërore “IdentiTek” në qytetin e Korçës, bëjnë të ditur se në muajin dhjetor pavarësisht fluksit të aplikimeve, kryesisht nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, nuk janë paraqitur probleme gjatë procedurës për aplikim për tu pajisur me dokumente identifikimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *