5.5 hektarë është sipërfaqja e dëmtuar nga zjarri i rënë tre ditë më parë në masivin pyjor të fshatit Arrëz, në afërsi të piramidës numër 9 në kufi me Greqinë në bashkinë e Kolonjës. Një vatër zjarri kjo e cila është riaktivizuar disa herë gjatë këtyre ditëve, për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë. Terreni ku ka rënë zjarri ka qënë i tejet i vështirë ndaj dhe për këtë është dashur të punohet me mjete rrethanore për ta vënë zjarrin në kontroll dhe për ta fikur atë plotësisht. Kjo është bërë e ditur nga shefi i shërbimit zjarrfikës në bashkinë e Kolonjës Vladimir Dhespollari, i cili shton se kjo zonë prej vitesh ka qënë problematike sa i përket rasteve të zjarreve.
Paraprakisht mendohet se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut por sipas Dhespollarit pritet raporti përfundimtar i policisë.
Shefi i shërbimit zjarrfikës bën të ditur gjithashtu se gjatë këtij sezoni ka patur edhe raste të tjera zjarresh, por që janë vënë shumë shpejt në kontroll pa shkaktuar dëme të mëdha. Ai ka një apel për gjithë banorët për të qënë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe.
Zjarri i rënë në masivin pyjor të fshatit Arrës, ka nisur mbrëmjen e së dielës dhe përgjatë tre ditëve është dashur disa herë ndërhyrja nga shërbimi zjarrfikës, policia e rendit, policia kufitare, shërbimi pyjor dhe shërbimi i emergjencave civile në Bashkinë e Kolonjës për shkak se zjarri është riaktivizuar disa herë.