Pas kthimit të grupit prej 58 efektivësh dhe 10 mjeteve të forcave të Armatosura si dhe strukturave të tjera Operative nga sistemi i mbrojtjes Civile Shqiptare, që ishin nisur për të dhënë mbështetjen dhe ndihmën e tyre drejt Greqisë që po përballet me flakë dhe zjarre massive, Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka sqaruar arsyet e këtij kthimi dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar fqinjët në raste të tilla emergjente.
“Të tronditur dhe të shqetësuar për situatën e rëndë që Greqia fqinje po përjeton nga zjarret masive, të cilat nuk kanë kursyer as jetët e njerëzve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të kësaj tragjedie!
Shqipëria, përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë.
Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera.
Ministria e Mbrojtjes uron që situata e rëndë në vendin mik të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë dhe mbetet e anagazhuar për t’iu bërë krah miqve, partnerëve dhe fqinjëve në çdo rast kur kërcënimi bën të nevojshëm riafirmimin e parimeve që na bashkojnë”- theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.