Çelet zyrtarisht fushata për zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetin “Fan Noli” në Korçë. Një gjë e tillë është bërë me dije nga Artur Prifti, sekretar i Komisionit Institucional Zgjedhor, i cili tha se në këtë proces kanë të drejtën e votës 150 pedagogë dhe afro 3000 studentë.
Këtë vit ndryshe nga herët e tjera në dy prej katër fakulteteve që ka universiteti i Korçës, kandidatët janë në garë pa rivalë. I pyetur për këtë Prifti sqaron se për të qënë fitues kandidati duhet të sigurojë mbi 50% të votave.
E njëjta formulë është edhe për organet dhe autoritetet e tjera drejtuese të këtij universiteti, në rastet kur kandidatët janë të vetëm në garë. Zgjedhjet do të mbahen në datën 21 qershor.