Fshati Zëmblak dhe Plasë pësuan dëmtime të mëdha në infrastrukturën rrugore si shkak i përmbytjeve të ndodhura në 15 qershor. Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, përrenjtë dolën nga shtrati dhe sollën aluvione e inerte që dëmtuan tepër asfaltin. Për riparimin e tyre, bashkia Maliq i ka drejtuar një kërkesë Emergjencave Civile dhe është në pritje të një përgjigjeje, ndërkohë ka nisur një fazë e parë punimesh në rrugë.
Ndërhyrja vjen si pjesë e projektit për sistemimin dhe asfaltimin e 20 rrugëve të amortizuara në disa fshatra me vlerë rreth 60 mln lekë, e u zgjodh që puna të niste nga ky fshati, ku dëmi ishte më i madh.
Banorët shpjegojnë se një përmbytje e tillë nuk kishte ndodhur prej mëse 50 vitesh ndërsa ngelen në pritje për ndërhyrjet që do të kryhen në rrugët e dëmtuara pasi kalimi në to është vështirësuar.
Nga evidentimi i situatës në terren nga një grup inxhinierësh, rezultoi se infrastruktura rrugore është dëmtuar në masën 80% ndërsa sa i takon pritave malore, në fshatin Zëmblak është dëmtuar prita e parë mbi fshat, ndërsa në fshatin Plasë është prishur gjithë prita e dytë.