• Korça

Votime në Partinë Socialiste, zgjidhen 24 delegatë nga Bashkia Korçë

Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bashkinë e Korçës prej dje ka nisur procesi i votimit për zgjedhjen e delegatëve të Partisë Socialiste të cilët do të marrin pjesë në kongresin e kësaj force politike që do të zhvillohet në muajin qershor. Të drejtën e votës në të gjithë bashkinë e Korçës e kanë 2400 anëtarë të cilët sipas parimit një anëtar një votë do të zgjedhin 24 delegatë, nga të cilët 14 për qytetin dhe 10 për njësitë administrative. Në total janë 8 qendra votimi, 3 në qytetin e Korçës dhe 5 në njësitë administrative, ku deri rreth orës 11.30 të paradites kanë ushtruar të drejtën e votës rreth 60% e tyre ose rreth 1400 anëtarë. Sipas kryetarit të PS për bashkinë Korçë Petrika Tollkuçi pritet që deri në fund të procesit të votimit në orën 16.00, të votojnë rreth 90% e anëtarëve.

Procesi i votimeve ka shkuar normalisht pa probleme, ndërsa shihet edhe një interesim i lartë i anëtarëve të Partisë Socialiste për të shprehur vullnetin e tyre me votë për zgjedhjen e delegatëve të kongresit.

Kongresi i PS-së do të zhvillohet në qershor të këtij viti ku delegatët do të zgjedhin Asamblenë e re të kësaj force politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *