• Sport

Volejboll, Skënderbeu ruan kreun/ Vajzat e Orlando Kojës fitojnë pastër ndaj Pogradecit

Superliga e volejbollit të femrave ka kompletuar të shtunën ndeshjet e javës së nëntë. Ekipet e kreut, Skënderbeu dhe Partizani, morën fitoret e radhës, teksa mundën me rezultate të pastra Pogradecin dhe Lushnjën. Ndërkohë Vllaznia, e fuqizuar në merkaton e dimrit, siguroi një triumf me përmbysje ndaj Barletit në kryeqytet. Kështu korçaret e Orlando Kojës vijojnë serinë e rezultateve pozitive, teksa dhuruan një tjetër provë bindëse, këtë herë në derbin juglindor. Sfida e luajtur në “Tamara Nikolla” e shihte Skënderbeun si udhëtues në fushën e tij, me vajzat korçare që nuk falën, teksa fituan pastër 0-3. Skënderbeu e tregoi superfuqinë ndaj kundërshtareve që në setin e parë, duke fituar në shifra të jashtëzakonshme 6-25. Më tej diferencat ishin më të ngushta, me korçaret që triumfuan 21-25 dhe 18- 25. Kjo ishte fitorja e tetë në kampionat për Skënderbeun, që ruan kështu vendin e parë në renditje. Për sa i përket statistikave individuale, kapitenia Elena Bego me 14 pikë, Sara Malaj me 12 si dhe Mariangel Vivas me 10, udhëhoqën sulmin e skuadrës korçare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *