Vllaznia ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në këtë javë të “Abissnet Superiore” duke mundur Tiranën me rezultatin 1-0. Në “Loro Boriçi” u ngjit në skenë klasikja e futbollit shqiptar, me dy skuadra të etura për sukses dhe me objektivin titull. Pavarësisht një pjese të parë plotë ritëm, rezultati mbeti i bllokuar në shifrat 0-0.
Pjesa e dytë solli dhe golin e vetëm të kësaj sfide. Në minutën e 49-të të takimit, Balaj është penguar nga Behiratçe dhe gjyqtari Jorgji ka treguar pikën e bardhë. Marku është treguar i saktë me gjuajtjen e tij duke firmosur për 1-0. Më pas gjithçka ka vijuar me kontrollin e kuqebluve, të cilët nuk kanë lejuar formacionin bardheblu të rrezikojë portën e mbrojtur nga Zogoviç, duke ruajtur avantazhin e një goli deri në sinjalizimin e fundit.
Është mbyllur 1-0. Kjo fitore e ngjit Vllazninë e vendit të dytë në kuotën e 34 pikëve, vetëm 3 më pak sesa bardheblutë kryesuesë. Kujtojmë këtu se dy takimet e para të kësaj jave u luajtur të shtunën pasdreke dhe, në Kukës, skuadra vendase ka mundur me një gol të vetëm Kastriotin, ashtu sikundër ka bërë në Laç edhe Egnatia ndaj skuadrës vendase. Java e 20-të e Kategorisë Superiore mbyllet të hënën pasdreke, me takimin midis Bylisit dhe Partizanit, që luhet në Stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, duke nisur nga ora 13:00.