Leskoviku njihet për kultivimin e rrushit, i cili vjen në një cilësi të lartë për shkak të elementëve të tokës por edhe klimës së favorshme në këtë zonë. Këto ditë ka nisur edhe vjelja e këtij fruti në një prej fermave më të mëdha me sipërfaqe rreth 15 hektarë. Varietetet bazë të cilat kultivohen në këtë zonë janë mbi 15 ndërsa nuk mungojnë ato autoktone siç është mavrudi, debina e bardhë dhe ajo e zezë, që zenë edhe pjesën më të madhe të sipërfaqes. Mënyra e ndërtimit të këtij vreshti por edhe teknologjia bashkëkohore e përdorur ka tërhequr vëmendjen edhe të profesorëve të universitetit bujqësor të Korçës e Tiranës të cilët ndoqen nga afër proceset e punës, duke vlerësuar kujdesin që i është ofruar këtij vreshti edhe në kushtet atmosferike mjaft të vështira të këtij viti për prodhimin bujqësor.
Kjo fermë është një nga shembujt se si mund të bëhet biznes i suksesshëm në një zonë të largët siç është Leskoviku.
Leskoviku ka nje sipërfaqe prej 120 Ha të kultivuar me vreshta. Kjo kulturë është më e rëndësishmja në këtë zonë për shkak të traditës shekullore por edhe sepse sjell të ardhurat më të mëdha për banorët e bizneset.