• Korça

Viti i ri akademik 2023-2024/ Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi ceremoninë tradicionale

Këtë të hënë është zhvilluar ceremonia tradicionale e nisjes së vitit të ri akademik 2023-2024 në universitetin “Fan Stiljan Noli” në Korçë. Ceremonia nisi me nderimin e Himnit tonë Kombëtar.

Në fjalën e tij përshëndetëse për fillimin e vitit të ri akademik, rektori Prof. Dr. Dhimitri Bello, iu drejtua studentët dhe në veçanti studentëve të rinj duke i përgëzuar ata për zgjedhjen e bërë, ndërsa i siguroi se në këtë Universitet do të gjejnë gjithçka që u duhet për t’u bërë nesër profesionistë të aftë.

Gjithashtu, rektori solli në vëmendje edhe një sërë bashkëpunimesh të suksesshme ndërinstitucionale që Universiteti ka nënshkruar gjatë vitit të kaluar akademik, si dhe veprimtaritë e shumta në të cilat studentët kanë marrë pjesë, teksa vuri theksin tek vijimi i punës për ndërkombëtarizimin e këtij institucioni. 

Fillimin e këtij viti akademik e përshëndetën më pas edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, prefekti i Korçës, Nertil Jole, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale, të cilët uruan suksese të mëtejshme për stafin dhe studentët.

Pas ceremonisë, studentët u drejtuan në fakultete. Ata u njohën me stafin akademik dhe u orientuan në auditorët përkatës, ku do të zhvillojnë procesin mësimor për këtë vit akademik që sapo ka nisur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *