• Korça

Virtuozi Jani Papadhimitri feston 75-vjetorin, stafi i RTSH Korça i uron shëndet e krijimtari të mbarë

Virtuozi Jani Papadhimitri feston sot 75 vjetorin e lindjes. Ai mbetet një ndër figurat më të kompletuara në historinë e artit shqiptar modern, por mbetet gati unikal edhe në aspektin e rrugëtimit të karrierës së tij profesionale solistike e pedagogjike, prej gjysëm shekulli, karrierë e cila ka evoluar në tre vende, në Shqipëri, Greqi  e Kanada. Violinisti dhe kompozitori Jani Papadhimitri ka lindur në një familje artistësh. Nëna e tij ishte piktorja e parë shqiptare, e mirënjohura Sofia Zengo Papadhimitri, ndërsa babai, skulptori-ksilograf Akilé Papadhimitri, edhe vëllai i tij Vangjush Papadhimitri gjithashtu është një ndër violinistët më të shquar të shkollës shqiptare të violinës. Mjeshtër Papadhimitri ka qenë për një kohë të gjatë koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe më pas drejtor artistik i këtij institucioni deri në fund të viteve 80-të.

Më pas emigroi në Greqi ku punoi si violinist në orkestrat më kryesore të vendit fqinj deri në momentin e emigrimit në Kanada. Në Greqi themeloi së bashku me vajzat edhe “Trio Fammus”. Violinisti i shquar dhe virtuoz Jani Papadhimitri, njëherazi dhe kompozitor e artist shumëplanësh është një ndër figurat më të spikatura dhe më autoritare të shkollës shqiptare të violinës dhe muzikës nga e cila kanë dalë shumë e shumë artistë instrumentistë, që sot e ushtrojnë me shumë sukses e dinjitet profesionin në të katër anët e botës. Stafi i RTSH Korça i uron shëndet e krijimtari të mbarë në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *