Aktorët e rinj të talentuar Franc Bregu, Juxhin Plovishti dhe Silvio Goskova kanë vënë në skenë shfaqjen “Ku do të vesh ti”. Fabula e kësaj shfaqje ka nisur të shkruhet që prej muajit prill ndërsa pas provave intensive, ata kanë vënë në skenën e teatrit “Andon Z.Çajupi” këtë shfaqje, në të cilën sollën një mori personazhesh. Me nota humori ata kanë përcjellë për publikun histori të ndryshme, ndërsa e veçanta e kësaj shfaqje ishte fakti se aktorët e kryenin ndërrimin e roleve në skenë.
Elementë të show-it televiziv, kabaretit dhe teatrit janë sjellë të gjitha në një shfaqje të vetme.
“Ku do të vesh ti” ishte një shfaqje e cila nuk kishte një skenar të mirëfilltë, pasi të rinjtë vendosin që batuta të ndryshme tja linin spontanitetit.
Franc Bregu e Juxhin Plovishti janë dy aktorë që edhe më herët i janë bashkuar formatit të komedisë ndërsa për herë të parë në këtë format vjen aktori Silvio Goskova, duke ndërthurur më së miri lojën aktoriale me aktorët e tjerë.
Kjo shfaqje ka mbajtur mbërthyer publikun duke shkaktuar të qeshura pa fund ndërsa është planifikuar edhe ringjitja e saj në skën edhe muajt e ardhshëm. Shfaqja do të mbahet për publikun artdashës edhe mbrëmjen e sotme në orën 19.