Disa ditë më parë rezultatet e Universitetit të Bernës në Zvicër kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit është më i vjetri në Europë. Një vendbanim në të cilin banorët e atëhershëm zhvillonin bujqësinë, zejtarinë dhe peshkimin. Popullsia e këtij vendbanimi më pas është përhapur në Itali dhe gjithë Europën. Ky zbulim i madh, falë bashkëpunimit të arkeologëve shqiptarë dhe atyre zviceranë, ka tërhequr vëmendjen e mbarë mediave vendase dhe botërore e tashmë pyetja që ngrihet është, çfarë do të bëhet me zonën? Pasi interesi për të parë vendbanimin dhe zbulimet është mjaft i madh. Në lidhje me këtë çështje kryebashkiaku i Pogradecit Ilir Xhakolli ka pritur në zyrë arkeologun zviceran Hafner dhe atë Shqiptar Adrian Anastasi. Teksa i falenderoi për punën e bërë Xhakolli tha se duhet të nisin nga puna për të pasur një koncept apo një projekt të vendbanimit në mënyrë që të fillojnë punën për gjetjen e financimeve dhe muzealizimin e të gjitha zbulimeve, muze i cili do të kërkohet si financim në Ministrinë e Kulturës ose në organizma europiane.
Arkeologët janë shprehur se po punojnë për këto rezultate dhe se ideja e ndërtimit të një Muzeu, posaçërisht për këto zbulime është puna më e mirë që mund të bëhet, pasi kështu u jepet mundësia vizitorëve për të parë zbulimet dhe nga ana tjetër ruhet zona në mënyrë që të mos dëmtohet. Sapo të kenë një koncept ide konkrete do të fillohet nga puna për të aplikuar financimin e këtij muzeu. Ndërkohë mendohet që në të, krahas objekteve të gjetura të jetë e ekspozuar edhe një pamje 3D e të gjithë vendbanimit 8 mijë vjeçar me rreze shtrirje 35 m katrorë. Hafner, Anastasi dhe Xhakolli u shprehën se ky është një nga zbulimet më të mëdha të ndodhura deri më tani, ashtu si tregon se vendi jonë mbart në vetvete, nëntokë apo nën ujë të vërteta të mëdha të njerëzimit. Vendbanimi palafit i Linit, ku ende vazhdojnë gërmimet, pritet të kthehet në një nga zonat më të vizituara vazhdim.