• Raportime

Vazhdon tensioni në veri të Kosovës/ Serbët sulmojnë policët dhe forcat e KFOR-it

Protestuesit serbë kanë vazhduar të jenë jo paqësorë në veri të Kosovës dhe mbrëmjen e sotme provokuar situatën, teksa kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. Sirenat/alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur sende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore.

Policia e Kosovës është treguar profesionale dhe e vetëpërmbajtur, duke i shmangur provokimet në vazhdimësi, si dhe ka kërkuar nga protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos sulmojnë dhe rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, të lirojnë rrugën dhe mjetet zyrtare për qarkullim, si dhe të mos dëmtojnë mjetet policore e të qytetarëve, me qëllim të mos tensionimit të situatës. Një kërkesë të tillë ndaj protestuesve e kanë bërë në vazhdimësi edhe zyrtarët e KFOR-it që kanë qenë prezent, por situata ka vazhduar të jetë e njëjtë.

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës Veriore, Zlatan Elek ka thënë se më shumë se 53 qytetarë janë lënduar sot nga shok-bombat e gazit lotsjellës gjatë protestave në veri. Sipas tij, tre të lënduar po mbahen në spital dhe njëri nga ta ka lëndime që i rrezikojnë jetën. Mediat serbe kanë raportuar se ka pasur shumë serbë të lënduar, të cilat janë trajtuar në Qendrën Mjekësore në Zveçan dhe se ata me lëndime më të rënda janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Mitrovicës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *