Sociologët bëjnë apel për kufizimin e përdorimit të internetit nga fëmijët, për shkak të shumë pasojave negative që mund të sjellë përdorimi me orë të zgjatura dhe pa kontroll prindëror. Sipas sociologes Maria Dojçe përdorimi i zgjatur i internetit i përball fëmijët me një botë të cilën ata nuk janë të përgatitur për ta njohur dhe për tu përballur. Ajo bën apel për një kontroll prindëror të përdorimit të internetit nga fëmijët, gjë e cila mund të realizohet nëpërmjet aplikacioneve të cilat janë shumë të efektshme në këtë drejtim. Sipas saj shumë prej rrjeteve sociale janë të panevojshme për fëmijët, madje mund të jenë edhe shumë të dëmshme për ta duke u bërë edhe fatale.
Për të kufizuar përdorimin e internetit te fëmijët disa shtete të botës janë duke ndërmarrë nisma, nëpërmjet të cilave vendosin rregulla të qarta. I tillë është rasti i Kinës ku është hartuar një rregullore ku thuhet se fëmijët nuk duhet ti përdorin telefonat nga ora 22 e mbrëmjes deri ne 6 te mëngjesit. Autoritetet kineze kane theksuar në rregullore se fëmijët e moshave 16-18 vjeç mund ta përdorin internetin vetëm 2 orë në ditë, ndërsa grupmosha 8-15 vjeç vetëm një orë. Për te miturit nën moshën 8-vjeçare koha është edhe më e limituar, vetëm 40 minuta. Ndërkohë nga rregulli mund të përjashtohen vetëm disa shërbime si për shembull aplikacionet të cilat janë për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve. Nga ana tjetër shumë vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar për arsye sigurie përdorimin e aplikacionit Tik Tok në pajisjet qeveritare.