• Korça

Ulen temperaturat, prezencë akulli në rrugë. Vështirësi qarkullimi në zonat malore të qarkut Korçë

Ulja e temperaturave ka sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve në zonat malore të juglindjes së vendit. Për shkak temperaturave shumë të ulëta gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të cilat kanë shkuar deri në -7 gradë Celsius dhe trashësisë së dëborës, nga Voskopoja në njësinë administrative Lekas kalohet vetëm me mjete të larta, ndërkohë që probleme në qarkullim ka në të gjitha fshatrat e kësaj njësie administrative. Gjithashtu kalimi është tejet i vështirë edhe nga qendra e njësisë administrative Dardhas në bashkinë e Pogradecit në drejtim të 5 fshatrave malorë të kësaj njësie. Me probleme qarkullimi paraqitet edhe në aksin rrugor Shtyllë-Panarit në veçanti në majë të Mashkullorës, aty ku trashësia e borës është e madhe dhe prania e akullit e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve. Mëngjesin e sotëm në segmente të caktuara rruge për shkak të akullit ka pasur vështirësi edhe në rrugën e Dardhës, Voskopojës, në aksin Korçë-Ersekë dhe Korçë-Dogana Kapshticë. Për këtë arsye firmat kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore, kanë kryer kriposje në zonat malore përgjatë këtyre akseve nacionale dhe turistike, për të normalizuar situatën. Nga ana e OSHEE-së ditën e sotme nuk janë raportuar probleme sa i përket furnizimit me energji elektrike në të gjitha zonat e qarkut të Korçës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *