• Korça

Ul siparin MIK Festival, edicioni i gjashtë i këtij festivali solli 6 koncerte të ndryshme në Korçë

Ul siparin MIK Festival, festivali i muzikës internacionale i cili bën bashkë artistë shqiptarë e të huaj, që interpretojnë muzikë të kultivuar. 6 koncerte të ndryshme plotësua afreskun e bukur të artit botëror duke sjellë një atmosferë feste në qytetin e Korçës.

Mbrëmja e fundit e festivalit është përmbyllur me interpretimin e tenorit të suksesshëm në Rumani, korçarit Gjergji Mani dhe bashkëshortes së tij, Ionela e cila këndoi në gjuhën shqipe. Në skenat e Rumanisë, Mani ka interpretuar gjerësisht duke mishëruar veprat kryesore të repertorit botëror ndërsa ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e kërkimit dhe studimit të muzikës lirike shqiptare dhe muzikës së lehtë patriotike korçare, pjesë e të cilave u interpretuan edhe në këtë mbrëmje të MIK Festival.

Orkestra frymore e Forcave të Armatosura nën drejtimin e maestros Elda Laro ka shoqëruar performancën e artistëve ndërsa fragmente muzikore janë interpretuar nga klarinetisti Igli Tuga.

Nata e fundit e MIK Festival është sjellë edhe në një skenë tjetër, tek sheshi i kishës së Ristozit në fshatin Mborje. Në këtë ambjent ku u ndal për herë të parë MIK Festival, u ndërthurr shpirti, muzika e gastronomia, e servirur nga shef Bler Dervishi.

Përveç edukimit me muzikë të bukur, ku ndërthuret muzika klasike me zhanre të tjera të muzikës duke i shtuar ngjyra dhe përfshirë çdo shije dhe moshë, MIK Festival ka për qëllim edhe promovimin e natyrës shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *