Vendet e lira të punës për lëvizjet paralele duhet të shpallen jo më vonë se një muaj para fillimit të vitit të ri shkollor ndërsa kur këto vende hapen gjatë vitit duhet të shpallen menjëherë. Vendet e lira të punës të cilat hapen në përfundim të vitit shkollor, shpallen pasi janë sistemuar mësuesit që mbeten pa ngarkesë mësimore dhe pasi është bërë plotësimi i kërkesave për lëvizje paralele me dëshirë, deri në 10 ditë para fillimit të vitit mësimor. Këto janë bërë të ditura në udhëzimin nr 17 datë 26.07.2023, Për procedurat e punësimit të mësuesve. Në të njëjtin udhëzim gjithashtu bëhen të ditura edhe procedurat për punësimin e mësuesve në dispozicion.
Kështu kandidatët, të cilët dëshirojnë të punojnë si mësues në dispozicion në momentin e aplikimit, zgjedhin në portalin “Mësues për Shqipërinë” opsionin “Mësues në dispozicion”. Vendet e lira të punës, në pozicionin mësues në dispozicion, u ofrohen në fillim mësuesve që dalin pa ngarkesë mësimore dhe nuk janë sistemuar, sipas renditjes. ZVAP-ja, sipas nevojave, emëron mësuesin, i cili nënshkruan kontratën e punës dhe pranon këtë pozicion pune. Kjo kontratë do të jetë deri në përfundim të vitit shkollor. Mësuesi në dispozicion ka të drejtë të zgjidhë kontratën si mësues në dispozicion, nëse atij i ofrohet vendi i punës në profilin përkatës. Mësuesi në dispozicion që ka nënshkruar kontratën, duhet të jetë i gatshëm në ZVAP çdo mëngjes për t’u punësuar sipas kërkesave që vijnë nga drejtuesit e institucioneve arsimore, për zëvendësim, rast pas rasti.