Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzimin për kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë nxënësit që duan të transferohen nga gjimnazi i përgjithshëm në atë profesional dhe anasjelltas. Sipas këtij udhëzimi kanë të drejtë të transferohen në gjimnaz nxënësit që kanë përfunduar klasën e dhjetë në arsimin e mesëm profesional, nxënësit duhet të plotësojnë kriterin e moshës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, ndërsa transferimi kryhet pas miratimit të zyrës vendore arsimore parauniversitare, në fund të vitit shkollor dhe vijon deri në fund të muajit korrik. Aplikimi kryhet pranë e-albania, ndërsa nxënësi duhet të kryejë edhe një sërë provimesh ne sezonin e vjeshtës për lëndët e pazhvilluara apo të zhvilluara pjesërisht. Nga ana tjetër udhëzimi i Ministrisë së Arsimit sqaron edhe mënyrën e kryerjes së transferimit të nxënësve nga gjimnazi i përgjithshëm në atë profesional.
Një gjë e tillë lejohet vetëm brenda 3-mujorit të parë të klasës së dhjetë. Për tu transferuar nxënësi duhet të plotësojë detyrimet e planit mësimor të drejtimit përkatës të arsimit të mesëm profesional dhe gjithashtu duhet të plotësojë kriterin e moshës. Aplikimi kryhet sërisht online në platformën e-Albania, ndërsa në rast miratimi caktohen edhe mësuesit që do të ndihmojnë nxënësin për lëndët e moduleve profesionale të pazhvilluara apo të zhvilluara pjesërisht gjatë tre mujorit të parë. Ky udhëzim i ri ka hyrë tashmë në fuqi duke shfuqizuar udhëzimin e vitit 2015 për të njëjtën procedurë.