Zona e Maliqit po tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë pranë gjirit të saj, duke investuar dhe shtuar atraksionet turistike. Me një klime të freskët, mikpritje të ngrohtë, ajër të pastër dhe natyrë të bukur, Maliqi po shndërrohet në një nga pikat turistike më të vizitueshme në qarkun e Korçës. Përveç bukurive natyrore që ka kjo zonë, një investim i rëndësishëm po bëhet edhe në sektorin e hoteleve apo restoranteve. Hapja e Rozafës në rënojat e kombinatit të sheqerit, i ka dhënë një tjetër imazh Maliqit, pasi ka shtuar ndjeshëm turistët dhe vizitorët të cilët zgjedhin t’i konsumojnë vaktet e tyre të ushqimit në këtë ambient çlodhës dhe të bukur. Megjithatë, një arsye pse vizitorët zgjedhin restorantet e zonës së Maliqit, janë gatimet tradicionale, por edhe ushqimet bio të siguruara nga fshtatrat përreth kësaj zone. Operatorë të ndryshëm turistikë pohojnë për mikrofonin e RTSH Korçës se Maliqi po merr gjithnjë e më shumë gjallëri me investimet e kryera së fundmi në sektorin e turizmit.
Mikpritja bujare dhe ushqimet e veçanta e kanë kthyer Maliqin në një nga destinacionet e preferuara për të gjithë vizitorët e qarkut Korçë, por edhe të të gjithë Shqipërisë.
Maliqi ndodhet vetëm 13 km larg qytetit të Korçës dhe njihet si një nga qytezat më të bukur dhe të veçantë jo vetëm në Qarkun e Korçës, por edhe në të gjithë Shqipërinë.