Parku Kombëtar i Prespës ngelet një ndër atraksionet e preferuara gjatë stinës së verës, kryesisht për turistët e huaj. Ky vend me një peisazh të mahnitshëm, tërheq vëmendjene vizitorëve për t’u njohur me resurset që i ka falur natyra. Përfshirja e monumenteve që përkojnë me periudhën bizantine dhe post bizantine si 3 kisha mbi 200 vjecare në zonën e Prespës ndër të cilat dhe ajo e Shën Marisë bëjnë që Prespa të tërheqë vëmendjen edhe të vizitorëve të huaj që cilët zgjedhin të kalojnë qoftë edhe një fundjavë në Pustec, për të provuar edhe gatimet tradicionale të zonës, ku veçohen tavat e peshkut.
Nëse ndalesh në parkun kombëtar të Prespës tashmë mund të shëtisësh edhe me anije turistike veç varkave të vëna në dispozicion nga banorët e zonës për të shijuar peisazhin e mahnitshëm që të ofron kjo zonë, por për t’i dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm të turizmit, nuk mjaftojnë vetëm këto. Një ndër ndërhyrjet më emergjente në këtë zonë, është ajo për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Në këtë zonë, vizitorët kanë mundësi të frekuentojnë dhe plazhin e Zaroshkës. Me çeljen e sezonit veror është kryer dhe kufizimi i pjesës së plazhit si dhe vendosja e tapave në liqen që tregojnë distancën të cilën duhet të ruajnë pushuesit në mënyrë që të mos kalohet 1 m e gjysmë thellësi në ujë, kjo me qëllim për të ofruar siguri për ta.