Vetëm 21 km nga qyteti i Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës ndodhet Lini, fshati i veçantë që në vitet e fundit është kthyer në një nga pikat turistike më të frekuentura në të gjithë qarkun e Korçës. Shtëpitë e vogla të ndërtuara buzë ujit, rrugicat e ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, kanë zgjuar interesin e gjithë vizitorëve apo turistëve vendas e të huaj, sidomos gjatë këtij sezoni veror.
Sikur të mos mjaftonin bukuritë natyrore të këtij fshati, në Lin ndodhen edhe disa palafite. Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Tani mbas 2000 vjetësh, turistët vendas e të huaj vijnë për të vizituar këtë fshat mahnitës dhe pamjen mbresëlënëse që të ofron.
Në Lin ka gjithashtu edhe disa plazhe të këndshme me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël që i shtojnë edhe më teper bukurinë këtij fshati të veçantë, i kthyer tashmë në një atraksion të rëndësishëm turistik.