Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Korçë ka vijuar aktivitetet promovuese të pasurisë që mbart Qarku Korçë. Në ditën e rinisë, të rinjtë u njohën me disa prej objekteve të shpallura monument kulture, që ndodhen në qendrën historike të qytetit të Korçës. Ata janë ndalur tek Shtëpia Muze e piktorit të popullit Vangjush Mio. Ai renditet në mesin e piktorëve më të mëdhenj të traditës, një piktor me vlera dhe personalitet në pikturën realiste shqiptare. Gjithashtu të rinjtë janë njohur edhe me banesat ku sot është vendosur Muzeu Arkeologjik ku janë të ekspozuara rreth 1 mijë objekte si sende të rëndësishme me vlerë arkeologjike siç janë veglat e punës, ato të peshkimit, figurina të ndryshme, vendbanimet e hershme, kocka kafshësh, etj.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Korçë ka nën kujdes 171 monumente kulture në Qarkun Korçë dhe 133 monumente në Qarkun Elbasan.