• Sport

Titulli kampion, trofeu që pritet. Skënderbeu fiton ndaj Tiranës 3-1 gjysmëfinalen e dytë të Kampionatit Kombëtar

Skënderbeu fiton edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale me Tiranën, duke shkuar kështu në finale aty ku gjen Partizanin, skuadër që ka kryesuar Kampionatin Kombëtar të volejbollit të femrave. Volejbollistet korçare e fillojnë mjaft mirë lojën, duke i mbyllur llogaritë në setin e parë me rezultatin 12-25. Në pjesën më të madhe korçaret kanë domunuar edhe setin e dytë, kjo edhe falë lojës kombinative, jo vetëm në rrjetë, por edhe nga vija e dytë. Set ky i fituar nga Skënderbeu 16-25. Krejt ndryshe nga dy setet e luajtura ka qënë loja e setit të tretë, kjo edhe për meritë të tiranasave të cilat kanë kërkuar t’i japin tjetër rrjedhë kësaj ndeshjeje të dytë. Dhe ia kanë dalë ta fitojnë setin me rezultatin 26- 24.

Tiranaset kanë bërë përpjekjen e fundit për ta çuar lojën në set final, por trajneri i Skënderbeut Orlando Koja, ka shkundur fort volejbollistet e tij, duke krijuar kështu jo dy, por katër pika goditëse në të gjitha pozicionet për Skënderbeun. Lojë kjo që ka patur si protagoniste lojtaret Williams, Gjata, Bego dhe Hajni, në lojën sulmuese ndërkohë që Mehmeti në veçanti ka qënë e saktë në lojën mbrapa. Me kaq shumë pika goditjeje, Tirana është ndjerë e dorëzuar dhe Skënderbeu ka fituar setin e katërt 19-25 dhe krejt takimin 1-3.

Pas dy fitoreve me Tiranën, vajzat korçare i pret beteja për titullin kampion, duke patur përballë Partizanin, që këtë sezon e ka mundur jo pak, por 4 herë, në Kupën “Pavarësia”, Ligën “Gjergj Kastrioti”, Kupën e Shqipërisë dhe në fazën e dytë në kampionat. Për trajnerin Orlando Koja në këtë fazë finaleje gjithçka fillon nga e para, duke lënë për të kuptuar se ndeshjet e luajtura harrohen, për të filluar betejën e takimeve të tjera për të shkuar tek titulli kampion. Ekipi i cili duhet të shpallet kampion duhet të fitojë 3 ndeshje. Koja më shumë se njëherë ka bërë me dije se të gjitha trofetë e këtij sezoni i përkasin Skënderbeut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *