Tifozët korçarë vijojnë të mbështesin ekipin e tyre në ndeshjet brenda shtëpisë. Ndryshe nga takimet e tjera këtë herë kanë dalë me kokën ulur nga ndeshja e së shtunës ndaj Teutës ku Skënderbeu u mund me rezultatin 0-1. Kjo pasi ekipi i tyre nuk është ngritur asnjëherë në lartësinë e kundërshtarit. Që do të ishte një ndeshje e vështirë për Skënderbeun u ndie që në momentet e para të takimit. Durrsakët krijojnë raste të shumta shënimi që trembin tifozët korçarë të cilët, sidomos gjatë pjesës së parë kërkojnë pafund reagimin e ekipit. Reagim që nuk vjen dhe kjo shkakton irritim në shkallët e stadiumit. Zhgënjimi ishte i madh dhe ka vazhduar edhe me komentet në rrjetet sociale pas ndeshjes, ku dukshëm tifozët janë të mërzitur me paraqitjen e fundit të ekipit. Nga ana tjetër edhe Ivan Gvozdenoviç ka qenë tejet i mërzitur për lojën e zhvilluar nga ekipi i tij në këtë ndeshje, gjë që e ka reflektuar edhe në fushën e lojës. Nisur nga kjo situatë tifozët kërkojnë kthesën e menjëhershme dhe një reagim edhe në lojë nga skuadra e Skënderbeut që në ndeshjen radhës ndaj Kukësit, ku fitorja do të quhet padyshim detyrim për bardhekuqtë.
- Korça