E hëna e sotme është shpallur nga qeveria, Ditë Zie Kombëtare në shenjë solidariteti me Turqinë dhe Sirinë pas tragjedisë së 6 shkurtit , ku tërmeti apokaliptik i mori jetën më shumë se 34 mijë personave.
Ditën e sotme (13 shhkurt), flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë, ndërsa, kushdo sipas dëshirës, mund të ndezë qirinjë në shenjë solidariteti.
“Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë Ditë Zie Kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë. Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruante Rama.
Shqipëria ka dërguar dy ekipe kërkim-shpëtimi për personat e mbetur nën rrënoja. Grupet e ekip-shpëtimit u përqendruan në zonën e Malatyas ku arritën të nxirrnin gjallë një të mitur.
Një javë pas dy tërmeteve me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë që rrafshuan zona të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore, qindra mijëra njerëz po flenë në ambiente të hapura në kushte shpesh nën zero.
Në provincën jugore të Turqisë, Hatay, një nga zonat më të goditura nga tërmeti dhe ku disa qytetarë thanë se iu deshën ditë të tëra ekipeve të urgjencës për të mbërritur, shumë prej tyre flenë në makinat e tyre ose në tenda të improvizuara nën tezgat e tregut.
OKB-ja ka thënë se të paktën 870,000 njerëz kanë nevojë urgjente për ushqime të ngrohta në të gjithë Turqinë dhe Sirinë, dhe vetëm në Siri deri në 5.3 milionë njerëz raportohet se janë të pastrehë. Turqia ka thënë se 80,000 njerëz janë në spital dhe më shumë se 1 milion janë në strehimore të përkohshme.
/rtsh.al/