Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të përballojnë të nxehtin e këtyre ditëve, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë ka ngritur një çadër në zonën këmbësore të qytetit. Në kuadër të planit të masave për përballimin e valës së të nxehtit, gjatë këtij aktiviteti sensibilizues për komunitetin, është ofruar matja e tensionit arterial, oksigjenit dhe glicemisë falas për kalimtarët e rastit. Njëkohësisht janë shpërndarë edhe broshura informuese mbi kujdesin që duhet të tregojnë nga dielli të moshuarit dhe fëmijët.
Plani i masave i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e valës së të nxehtit parashikon vendosjen në gatishmëri të autoambulancave në zonat me fluks të lartë në qendrat e disa qyteteve për ardhjen në ndihmë të rasteve urgjente. Gjithashtu në zonat bregdetare dhe malore janë hapur 30 qendra shëndetësore verore.