• Lajme kombëtare

Taksa e re e pronës, zbatimi prashikohet të nisë në 2026-ën

Qeveria shqiptare ka nisur procesin e konsultimit për të rishikuar taksën e pronës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha të martën se ende nuk ka një draft të finalizuar, synohet që vlerësimi i pasurive të bëhet me çmimin e tregut.

“Kemi një produkt të hartuar në bashkëpunim me Ambasadën suedeze. Jemi ende në konsultim, jemi duke punuar me Universitetin e Tiranës me qëllim të marrim ekspertizën e duhur, në mënyrë që kjo reformë madhore të zbatohet sa më mirë. Hyrja në fuqi parashikohet në vitin 2026 për ndërtesat”, deklaroi ministrja gjatë konferencës për shtyp mbi treguesit ekonomikë.

“Ndryshimi kryesor që do të sjellë është vlerësimi i pasurive i pronave me vlerën e tregut, me çmimin e tregut. Ky është një ndryshim thelbësor, i cili ka nevojë për një angazhim shumë të madh, jo vetëm në kuadër të hartimit të ligjit, por edhe të marrjes së masave institucionale për zbatimin sa më të mirë të tij”, u shpreh ajo.

Në 5-mujorin e parë të vitit sipas ministrisë janë mbledhur 2.7 miliardë lekë nga taksa e pronës, ndërsa përgjatë gjithë vitit llogaritet të mblidhen gati 7 miliardë lekë. 

Aktualisht qytetarët paguajnë 0.05 % e vlerës së banesës së tyre e përllogaritur kjo në bazë të zonave të banimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *