Stuhia e një nate më parë ka sjellë problematika edhe në disa fshatra të bashkisë Korçë. Rreshjet e dendura të shiut kanë bërë që përrenjtë malorë të dalin nga shtrati duke përmbytur rrugë, banesa e toka bujqësore, por edhe duke dëmtuar ura e tombino. Sipas Mariglen Hoxhallit drejtorit të Njësive Administrative pranë Bashkisë Korçë, problematikat kanë ndodhur edhe për shkak të ndërhyrjeve të vetë fermerëve në këto përrenj duke ndërtuar ura të vogla apo duke vendosur tombino me diametër të vogël, të cilat nuk arritën të përballojnë prurjet e larta të ujërave. Për këtë arsye përrenjtë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur disa lagje në fshatin Kuç e në fshatin Belorta, ndërsa nuk janë regjistruar përmbytje të të mbjellave. Hoxhalli tregon se është ndërhyrë më dy eskavatorë dhe tre fadroma për të normalizuar situatën dhe për ti ardhur në ndihmë banorëve.
Hoxhalli u bën thirrje fermerëve që për çdo ndërhyrje që duan të kryejnë për të hyrë në tokat bujqësore apo në banesat e tyre të kërkojnë asistencën ë bashkisë së Korçës në mënyrë që të mos krijohen më këto situata.
Puna do të vijojë nga ana e bashkisë së Korçës deri në normalizimin e plotë të situatës.