Skënderbeu po vijon përgatitjet për sezonin e ri nën urdhrat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, tekesa po bëhen gati për sezonin e vështirë që i pret në Kategorinë Superiore. Mbrëmjen e së hënës bardhëkuqtë testuan formën aktuale të lojtarëve në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin e Korçës ndaj ekipit të Ohrit, Voska Sport. Vendasit dominuan totalisht këtë ndeshje, të cilën e fituan me shifrat 2-0. Shaqe dhe Rashica në pjesën e parë, i dhanë suksesin ekipit të Gvozdenoviç, i cili duket se po bën gjithçka mirë që në prag të startit të këtij sezoni. Sfida u ndoq edhe nga një numer i konsiderueshëm tifozësh, të cilët sfiduan temperaturat e larta dhe mbështetën ekipin në këtë sfidë miqësore. Pas ndeshjes, trajneri Gvozdenovic u shpreh i kënaqur me paraqitjen, ndërsa theksoi se do jenë edhe disa miqësore të tjera në ditët ne vazhdim që do qartësojnë edhe më mirë situatën e ekipit për sezonin e ri.
Dy nga afrimet e kësaj merkatoje, Muharem dhe Shaqe theksuan se janë përshtatur mjaft mirë në Korçë dhe kanë gjetur ambientin perfekt ku mund të shpalosin potencialin e tyre.
Korçarët janë ende jo plotësisht të formatuar, pasi priten afrime të tjera në radhët e tyre në ditët e ardhshme. Trajneri Gvozdenovic po shikon me vëmendje të gjithë lojtarët e ardhur në këtë merkato vere dhe pas pak ditësh do të vendosë përfundimisht se cilët do të mbeten zyrtarisht pjesë e Skënderbeut për sezonin e ri.