• Raportime

Skënderbeu rikthen Mensah dhe Kosta Vangjelin, priten edhe 4 afrime të tjera

Skënderbeu vijon të jetë aktiv në merkato dhe po bën afrime të njëpasnjëshme lojtarësh për të plotësuar më shumë organikën në dispozicion të trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Goditje e madhe mund të quhet Alred Mensah për të cilin është arritur akordi me ekipin e Partizanit, por ndërkohë ka edhe lëvizje të tjera.

Bardhekuqtë kanë rikthyer një tjetër”ish” në ekip, që prej një viti nuk ishte më pjesë e skuadrës. Bëhet fjalë për Kosta Vangjelin, mesfushorin korçar që pas rënies së ekipit në Kategorinë e Parë vendosi të mos bashkohej me grupin përtej kontratës aktive, por të vijonte jetën në Selanik të Greqisë atje ku zgjidhi disa çështje personale për sa i përket dokumentacionit.

Me rikthimin e Skënderbeut në elitën e futbollit shqiptar është rishfaqur sërish Vangjeli, i cili shumë mundësi do firmosë një kontratë të re me korçarët. Tashmë pritet të shihet se cila është forma e Vangjelit që ka një vit pa luajtur futboll në nivel profesionist dhe më pas të përcaktohet se sa efikas do të jetë për Skënderbeun nga nisja e sezonit të ri.

Mësohet se korçarët do të vijojnë të mbeten aktivë në merkato edhe me të paktën 4 afrime të tjera për të dubluar çdo pozicion të mundshëm në mënyrë që të ofrojnë garanci për trajnerin Ivan Gvozdenoviç. Nisur nga kjo, trajneri pritet që të ketë në përbërjen e tij një organikë tejet të kompletuar me 25 lojtarë në dispozicion për sezonin e ri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *