Skënderbeu e Partizani kanë dhuruar spektakël mbrëmë në ndeshjen e dytë të Kampionatit Kombëtar në volejboll për femra. Ndeshje kjo që i ka pasur të gjitha, që nga emocionet në shkallët e pallatit të sportit “Tamara Nikolla”, aty ku tifozeria korçare ka qënë lojtari i 7-të për Skënderbeun, për të ardhur tek emocionet e lojtareve e deri tek trajnerët të cilët gjatë gjithë ndeshjes kanë lëvizur jo pak në vendosjet. Kjo edhe për atë sepse Skënderbeu e kërkonte medoemos fitoren, për ta shtyrë më tej titullin kampion.
Me një ndeshje të fituar edhe Partizani kishte ardhur në Korçë për të çuar në dy, ndeshjet e fituara në këtë fazë finale. Ka fituar Skënderbeu 3-0 me setet 25-13, 25-22 setin e dytë e me të njëjtin rezultat edhe setin e tretë, pasi trajneri Orlando Koja pikë së pari ka kërkuar shërbim të saktë ndërkohë që ka ngarkuar jo pak në pozicionin 2 Elena Begon, në një nga ditët e saj më të mira. Kjo edhe për atë sepse Williams, në setin e dytë e të tretë ka humbur së tepërmi qetësinë, pasi Partizani e ka goditur atë me shërbime, por edhe sepse Hajni duke mos qënë në gjendjen e duhur fizike, pothuajse ka qënë jashtë forme, gjë të cilën deri diku pas ndeshjes, e ka pranuar edhe trajneri Orlando Koja.
Me dy ndeshje të luajtuara, me nga një fitore për Partizanin e Skënderbeun, titulli kampion ka shumë gjasa të ketë rrugë të gjatë, edhe në kushte kur Koja thotë se fitojnë këtë të premte në Tiranë dhe titullin e marrin në Korçë. Nga ana tjetër Elena Bego, pranon se kjo javë do jetë shumë e gjatë për skuadrën, ndërkohë që shpreson se vajzat do të bëjnë më të mirën në ndeshjet që priten për t’u luajtur.
Drejtori Sportiv i Partizanit, Shkëlqim Muça pas ndeshjes tha se “të gjithëve na kishte marrë malli për një tifozeri si kjo e Skënderbeut”. Edhe për Muçën Skënderbeu i këtij sezoni është skuadra për t’u respektuar. “Skënderbeu është me fat që ka një trajner si Orlando Koja”, kështu është shprehur gazetari sportiv Ervin Baku, i cili ka mendimin se me Kojën Skënderbeu duhet të fillojë të investojë që tani, për ta parë ekipin po kaq cilësor edhe në ndeshjet europiane.
Tifozeria korçare në ndeshjen e mbrëmshme meriton fjalët më të mira, për koreografinë e paraqitur, për emocionet që solli në pallatin e mbushur me spektatorë, duke u bërë kështu mbështetëse për skuadrën që deri tani ka fituar tre trofe. Të premten në orën 18:30 në kryeqytet luhet ndeshja e tretë finale e Kampionatit Kombëtar. Partizani nga njëra anë kërkon t’i thjeshtojë gjerat në favor të vet, ndërkohë që Koja kërkon të njëtjën gjë për Skënderbeun, kur tha se titulli ngrihet në Korçë, duke shmangur kështu ndeshjen e pestë të kësaj faze finale.