• Sport

Skënderbeu nis merkaton/ Klubi bardhekuq bëhet gati për të shitur dy futbollistë të tjerë

Skënderbeu po mendon për merkaton dhe drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje për të shitur disa nga “xhevahiret” e skuadrës. Dy nga lojtarët më të mirë të këtij sezoni për bardhekuqtë kanë pasur vëzhgues specialë në ndeshjen gjysmëfinale të “Final Four” kundër Partizanit, e luajtur javën e kaluar në “Air Albania”, ku Skënderbeu humbi 1-0. Bëhet fjalë për sulmuesin Ermir Rashica dhe kapitenin Dean Liço, të cilët ishin në fokusin e përfaqësuesve të klubi rumun të Kluzhi. Këta të fundit kanë pasur mundësinë të shohin nga afër dy lojtarët të bardhekuqve dhe kanë mbajtur shënimet përkatëse. Për Liçon më parë pati interesim edhe nga Bullgaria, nga CSKA e Sofjes. Ende nuk flitet për oferta konkrete në klubin korçar për Rashicën dhe Liçon, por është e konfirmuar se interesimi për ta nuk është vetëm nga rumunët e Kluzh, por edhe klube të tjera. Gjatë kampionatit, në ndeshjet më të forta që ka pasur Skënderbeu, në stadium ka pasur vazhdimisht skautë, kryesisht të skuadrave nga kampionatet lindore, që kanë studiuar lojtarë të ndryshëm. Presidenti Ardian Takaj do të vlerësojë me kujdes të gjitha ofertat, për të vendosur më pas se cili largim mund të jetë në interes të klubit bardhekuq. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë Skënderbeu shiti sulmuesin Frenklin në Kazakistan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *