• Sport

Skenderbeu mund Kukësin/ Korçarët rikthehen tek fitorja, triumfojnë 1-0 ndaj verilindorëve

Skënderbeu ka mposhtur Kukësin me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Superiore. Korçarët arritën të fitonin 3 pikët falë golit të vetëm të shënuar gjatë ndeshjes. Rashica bëri heroin për vendësit duke e rikthyer te fitorja skuadrën e Gvozdenoviçit. Nga ana tjetër, Kukësi u mundua të reagonte, por e kishte të vështirë që të gjente hapësira për të rrezikuar portën e Alias në pjesën e parë. Mandej, kushtet atmosferike rënduan jashtë mase mundësinë e të prodhuarit futboll të bukur dhe gjithçka u mbyll me një fitore të korçarëve.

PJESA E PARË- Skënderbeu e nisi ndeshjen në kërkim të golit të avantazhit dhe menjëherë korçarët u vunë në zotërimin e mesit të fushës, nga ana tjetër Kukësi kërkonte shpejtësinë e kundërsulmit, por pa dalë në aksione të rëndësishme dhe të rrezikshme në minutat e para. Kjo edhe për faktin se korçarët gjetën shumë shpejt golin e avantazhit. Pas një rrëmuje në zonë, në zhvillimet e një goditjeje këndi, mbrojtësit e Kukësit kthejnë një top si asist për Rashicën që i vetëm përballë Tafas nuk gabon dhe çon ekipin në avantazh. Goli i shënuar i jep më shumë zemër dhe iniciativë korçarëve që tentojnë të dyfishojnë fillimisht me Rashicën e më pas me Frenkin, por goditjet e tyre nuk kanë rrezikshmëri. Kjo pjesë nuk prodhon më shumë se kaq dhe Skënderbeu shkon në avantazhin e një goli në dhomat e zhveshjes.

PJESA E DYTË- Pjesën e dytë të dy ekipet hyjnë me zëvendësime në fushën e lojës, por asnjë ndryshim nuk reflektohet në fushë, madje ndeshja bëhet shumë më e mërzitshme dhe e vështirë për t’u interpretuar për shkak të rrebeshit të shiut dhe erës së fortë. Skënderbeu e ka të vështirë të dalë me topin e gjatë për shkak të erës kundër, ndërsa Kukësi mundohet të gjejë manovrën e duhur, por pa sukses. Sulmuesi moldav i veriorëve ul një top në zonë për Da Motën, por ky i fundit nuk koordinohet si duhet duke shpërdoruar një rast të artë. Më pas kuksianët protestojnë për një penallti, por asgjë nuk ndodh. Skënderbeu reziston edhe 6 minutave shtesë dhe merr tri pikët. Pas këtij triumfi, Skënderbeu shkon në kuotën e 28 pikëve dhe pozicionohet në vendin e 7-të, me një ndeshje më pak të luajtur. Ndërsa Kukësi renditet në vendin e fundit me 19 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *