• Raportime

Skënderbeu kampion i Kupës së Shqipërisë. Pas 45 vitesh Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra rikthehet në Korçë

Pas 45 vitesh Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra rikthehet në Korçë. Për ta bërë realitet një gjë të tillë korçaret kanë mundur në finale Partizanin me rezultatin 2 me 3. 45 vite më parë volejbolliste të tilla si Tamara Nikolla, Myzejen Hoxhalli dhe vajzat e tjera të rrjetës korçare kanë mundur në Shkodër Flamurtarin duke sjellë në juglindje Kupën e Shqipërisë. 1 vit më parë pas 36 vitesh Skënderbeu rifiton titullin kampion duke mundur në finale Tiranën. Në këto dy sezone Skënderbeu ka fituar 5 trofe, tri prej të cilave këtë vit përfshi edhe Kupën e Shqipërisë. Kanë mjaftuar 2 sezone për të ndryshuar gjithë strukturën e volejbollit korçar aq sa në këto 2 sezone Skënderbeu është skuadra që dominon volejbollin e femrave në vendin tonë. Madje këtë vit me fitimin e Ligës “Gjergj Kastrioti” ka shkuar më tej duke dominuar edhe volejbollin mbarëkombëtar. Për kapitenen Paola Gjata në këto dy sezone kanë ndryshuar shumë gjëra, duke filluar me ardhjen e lojtareve të huaja por dhe lojtaret e tjera nga më të mirat e kampionatit tonë. Mbi të gjitha në këto dy sezone Skënderbeu është drejtuar nga trajnerë shumë profesionistë. Diçka më shumë këtë sezon me Orlando Kojën trajner i cili ka sjellë një Skënderbe me një kulturë krejt ndryshe loje. Edhe për Gjatën fakti që Skënderbeu krejt ndryshe nga ekipet e tjera ka sjellë në skuadër lojtaret pa filluar sezonin ka treguar se do të jetë skuadra dominuese.

Nga viti 1978 e deri në 2023 për ish volejbollistin dhe ish trajnerit e kësaj skuadre Pandush Kapedani me Orlando Kojën kanë ndryshuar jo pak gjëra në lojën e këtij ekipi, në veçanti në lojën mbrapa. Koja edhe për Kapedanin ka ruajtur në një farë mase lojën tradicionale të Skënderbeut.

Pasi ka fituar këtë vit Kupën “Pavarësia”, Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe Kupën e Shqipërisë, Skënderbeu kërkon edhe titullin kampion. Skuadra korçare edhe për trajnerin Orlando Koja është ndërtuar për t’i fituar të gjitha trofetë e sezonit. Gjë e cila nuk ka ndodhur më parë me asnjë ekip të volejbollit të femrave në vendin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *