• Sport

Skënderbeu gati për Teutën, trajneri Ivan Gvozdenovic merr lajme të mira nga infermieria

Skënderbeu do të luajë të premten në orën 17:00 ndeshjen e prapambetur ndaj Teutës. Korçarët kanë marrë lajme te mira në lidhje me gjendjen e të dëmtuarve, në prag të kësaj sfide. Bëhet fjalë pikërisht për atë që e vinte më shumë në siklet trajnerin Ivan Gvozdenoviç me mungesën e tij. Klevis Shaqe, ia ka dalë të rikuperohet në kohë rekord dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit. Një rikuperim me mjaft vlera dhe tashmë i takon trajnerit Gvozdenoviç që do të vendosë për ta hedhur ose jo si titullar nga minuta e parë lojtarin në ndeshjen e së premtes.

Gjatë seancës së fundit stërvitore numri një i pankinës korçare është përqendruar vetëm tek lëvizjet taktike në fushë të ekipit të tij, duke u marrë dukshëm me formacionin që do të zbresë nga minuta e parë ndaj durrsakëve në Korçë. Rikuperimi i Shaqes duket se e ka vënë para një zgjedhjeje kryepankinën korçare. Gvozdenoviç është parë i dyzuar mes rreshtimit 3-5-2 dhe atij 4-1-4-1 që duket se e intrigon për shkak të forcës sulmuese që i jep grupit. Duke parë se fitorja është ajo që kërkohet më së shumti në kampin bardhekuq, nuk do të ishte risi, nëse serbi i Skënderbeut zgjedh pikërisht këtë të fundit, si vendosje të ekipit nga minuta e parë.

Ndeshja Skënderbeu-Teuta do të luhet në stadiumin e Korçës dhe është e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Supëriore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *