Skënderbeu po vijon në Durrës fazën përgatirore dhe është gari për rifillimin e kampionatit. Gjetja e ekuilibrave është një nga pikat kryesore ku trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe stafi i tij janë ndalur më shumë në këtë pragnisjeje të fazës së tretë. Për të shmangur luhatjet dhe uljengritjet brenda një ndeshjeje, numri një i pankinës korçare ka kërkuar nga të tijtë më shumë përgjegjshmëri. Veçanërisht ai është fokusuar te lojtarët me eksperiencë, për të nxjerrë ekipin nga momentet e errëta dhe paniku i lojës. Natyrisht, ai pret që të ketë përqendrim nga pjesa e të rinjve, për të mos ulur asnjëherë ritmin gjatë një ndeshjeje. Trajneri bardhekuq është parë të punojë këto ditë më shumë me aspektin psikologjik të lojtarëve, por edhe anën tekniko-taktike të ekipit. Problem mbeten edhe golat, pasi korçarët kanë shënuar 16 herë dhe pësuar 24 herë deri më tani, duke qenë në grupin e skuadrave që realizojnë më pak dhe pësojnë më shumë në kampionat.
Gvozdenoviç duhet të rregullojë edhe disa gjëra në sulm, pasi lojtarët ofensivë duhet të mos tregohen egoist dhe të jenë më konkretë para portës. Numri një i pankinës ka kërkuar agresivitet nga mbrojtësit dhe mbulim të rreptë të zonave të lojës, duke mos lënë hapësira të shfrytëzueshme për kundërshtarët. Për serbin, e rëndësishme është shmangia e individualitetit të theksuar dhe bashkëveprimi në 30 metrat e fundit të fushës. Të gjitha këto, trajneri ua ka përsëritur lojtarëve edhe përmes ushtrimeve të caktuara taktike për të rritur bashkëpunimin brenda ekipit. Kujtojmë që Skënderbeu luan të shtunën në transfertë përballë Egnatias në orën 13:30.