• Sport

Skënderbeu fiton ndaj Flamurtarit, Juri dhe Rashica i japin korçarëve fitoren pas katër barazimesh

Skënderbeu gjen më në fund fitoren pas katër barazimeve radhazi dhe një gjë të tillë e bën përballë Flamurtarit në testin e fundit miqësor që korçarët kishin programuar në mbyllje të kësaj faze përgatitore. Juri dhe Rashica i shënojnë Flamurtarit dy golat e shpejtë të pjesës së parë, rezultat ky që do të mbetej në fuqi gjatë gjithë ndeshjes. Ivan Gvozdenoviç i qëndron besnik skemës 3-5-2 që duket se i jep më shumë garanci trajnerit serb. Nga ana tjetër një Flamurtar i rinovuar ai i Emiljano Çelës që kërkon të reagojë pasi ka pësuar gol por ndalet nga traversa dhe Alia që i mohoi golin në një rast. Ndeshja nis menjëherë me Skënderbeun nën kontrollin e lojës dhe që mundohet të bëjë diçka më shumë se në ndeshjet e tjera. Megjithëse dy ekipet krijojnë volum loje rastet e pastra mungojnë.

Duhet të vinte minuta e 15 e takimit që të shihej rasti i parë i cili shndërrohet në gol. Juri kombinon mirë me Gërxhon dhe pasi merr topin në hyrje të zonës godet me të majtën duke befasuar portierin Teqja dhe çon topin në rrjetë. Flamurtari reagon por prapavija korçare është e mirëvendosur për të shmangur rrezikun. Pikërisht në momentin më të mirë të vlonjatëve vjen edhe goli i dytë i Skënderbeut. Prençi nis një top të gjatë në kërkim të Rashicës, Ramadani nuk kuptohet me Teqjan dhe në tentativë për të kthyer topin tek portieri e çon mbi duart e tij. Atje përfiton Rashica që vetëm sa e shtyn mbi vijën fatale një top që i drejtohej portës. Pjesa e dytë është një kopje e ndeshjeve të shkuara me Skënderbeun që bie fizikisht dhe Flamurtarin që ka mundësi për të shënuar por nuk ia arrin dot. Goditja e Di Estefano me kokë gjen vetëm traun e portës, ndërsa oliveirës i thotë jo Alia. Mbyllet kështu me rezultatin 2-0 testi i fundit i korçarëve që tashmë mbyllin edhe fazën përgatitore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *