• Raportime

Skënderbeu dorëzon kurorën. Partizani shpallet kampion në volejbollin e femrave dhe rikthen titullin në kryeqytet

Partizani ka shkurorëzuar të premten kampionen në fuqi, Skënderbeun, duke siguruar për të 5-ën herë kurorën e më të mirës së rrjetës shqiptare të femrave, duke e fituar duelin e 5-të final me rezultatin 3-1. Të kuqet e kryeqytetit, të frymëzuara nga rikthimi i Enkelejda Brahos, por edhe të përforcuara me disa lojtare të huaja, e patën mbizotëruar sezonin e rregullt, duke u renditur në vendin e parë, e ndjekur nga afër nga korçaret dhe ishin këto dy skuadra që mbërritën edhe në duelin final.

Si Partizani, ashtu edhe Skënderbeu, i fituan të dyja ndeshjet në fushën përkatëse, duke e çuar kështu finalen e titullit në duelin e 5-të, që është zhvilluar të premten në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, që, sikundër çdo eveniment sportiv madhor, kombëtar dhe ndërkombëtar, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport.

Dhe ishte skuadra kryeqytetase ajo që e fitoi setin e parë, me shifrat 25-21, por seti i dytë ka parë korçaret e trajnerit Orlando Koja të reagojnë dhe të kryesojnë përgjatë gjithë kohës dhe ta marrin atë me rezultatin 25-20, duke barazuar gjendjen e seteve në 1-1.

Por dy setet e tjera kanë parë Partizanin, e drejtuar nga trajneri turk Bylent Karshiollu, të mbizotërojë, përballë një Skënderbeu gjithnjë e më të lodhur fizikisht dhe të çorientuar taktikisht, që bën gjithnjë e më tepër gabime, duke falur gjithnjë e më tepër pikë. Të kuqet e kanë fituar setin e 3-të me shifrat 25-18, duke vijuar ta fitojnë edhe setin e 4-t edhe më thellë, 25-11, dhe gjithë takimin me razultatin 3-1, duke bërë që në parketin dhe në shkallët e “Asllan Rusit” të ndizet festa e lojtareve dhe tifozëve të Partizanit, që kurorëzon kështu sezonin me titullin “kampion”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *