• Sport

Skënderbeu bën “bingo” me Frenklin/ Korçarët mbajnë 20% të kartonit të sulmuesit, mund të përfitojnë më shumë

Padyshim që tema më nxehtë në kampin e Skënderbeut në këto ditët e fundit është shitja e Frenklin tek Astana në Kazakistan. Ky transferim mund të quhet një goditje e rëndësishme e Skënderbeut për të pasur financa të shëndosha. Ajo që vlen më shumë në këto momente janë detajet e finalizimit të këtij operacioni, që erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Frenklin, sulmuesi kryesor i Skënderbeut u shit tek kazakët e Astanës për një shumë fillestare prej 450 mijë eurosh. Shumë që edhe mund të vijë në rritje, duke u mbështetur edhe te bonuset e përcaktuara në kontratë. Bonuse që kanë të bëjnë me ndeshjet e luajtura si titullar nga Frenklin, golat e shënuar dhe plotësimin e objektivave sezonalë të ekipit kazak. Të gjitha këto do të përkthehen në të ardhura shtesë për Skënderbeun, në rast se realizohen si pika kontrate. Nga ana tjetër, sikundër ndodh edhe në transferimet e tjera të klubit bardhekuq, Skënderbeu ka mundur të mbajë 20% të kartonit të futbollistit ganez. Çka do të thotë përfitime shtesë për transferimin e radhës së Frenklin nëse kalon nga Astana te një klub tjetër. Një lëvizje e zgjuar kjo e klubit korçar duke parë cilësitë e lojtarit si dhe duke pasur parasysh eksperiencën e mëparshme me Olainkën dhe futbollistë të tjerë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *