Skënderbeu është pranë goditjes së dyfishtë në merkato për të plotësuar më tej ekipin e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç në aventurën e parë si trajner në Superiore. Korçarët duket se po kërkojnë të përforcojnë më shumë prapavijën dhe mesin e fushës për të pasur alternativa të shumta dhe, mbi të gjitha, cilësore, në ekip. Ndaj, edhe për këtë korçarët kanë finalizuar edhe dy afrime të tjera, ndërsa janë pranë konkretizimit edhe për mbrojtësin e krahut. Burime të sigurta në klub bënë me dije se korçarët kanë mbyllur marrëveshjen me mesfushorin shqiptar që luan në ligat inferiore të Anglisë. Bëhet fjalë për Alkeo Banin, i cili ka veshur dy herë edhe fanellën e ekipit kombëtar U-19. 22-vjeçari mbulon disa pozicione në fushë, si atë të mesfushorit ashtu edhe mbrojtësin e qendrës, ndërsa momentalisht ka mbyllur kontratën me ekipin e Uingejt & Fisherli në kampionatet angleze dhe është pranë nisjes së një aventure të re në Korçë në kampionatin tonë.
Duket se akordi me 22- vjeçarin Bani është mbyllur tashmë dhe ai pritet të mbërrijë pranë ekipit në korrik. Nga ana tjetër, nuk është kjo e vetmja surprizë e bardhekuqve. Prej kohësh drejtuesit janë duke kërkuar një mbrojtës të djathtë për të kompletuar korsinë e mbuluar vetëm nga Erlis Frashëri. Të njëjtat burime bëjnë me dije se afrimi i radhës do të jetë sërish nga Seria C e Italisë dhe të gjitha indiciet të çojnë tek Andrea Gërxho (Andreas Gertsos), futbollisti shqiptar me pasaportë greke që luan për Fermanën në shtetin fqinj. Gerxho, i dalë nga akademia e Udinezes, duket se mund të jetë përforcimi i radhës i Skënderbeut në prapavijë, por gjithsesi mbetet ende një emër i pakonfirmuar zyrtarisht nga klubi bardhekuq.