Të hënën në shtetin Helen festohet Agios Pnevmatos, e hëna e frymës së shenjtë, ajo që njihet ndryshe si Pashka e dytë dhe si festë zyrtare, është ditë pushimi. Kjo pritet të sjellë një shtim të lëvizjeve në pikat doganore nga emigrantët që do të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar 3 ditët e pushimit në atdhe.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bën me dije se gjatë datës 31 maj kanë hyrë drejt shtetit shqiptar nga pika doganore e Kapshticës, 1755 shtetas ndërsa në dalje janë regjistruar 2255 shtetas. Sa i takon ditës së djeshme, ka një shtim të numrit të shtetasve që kanë hyrë drejt Shqipërisë, duke shkuar në 2075 ndërsa në dalje janë regjistruar 2253 shtetas.
Po e njejta situatë paraqitet edhe në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë, ku gjatë datës 31 maj, kanë hyrë 1725 shtetas dhe kanë dalë 2016, ndërsa data 1 qershor ka shënuar një shtim të lëvizjeve, ku përmes kësaj pike janë regjistruar 2423 shtetas në hyrje dhe 2165 në dalje.