Temperaturat e ulëta nga -3 deri në -7 gradë C që kanë përfshirë qarkun e Korçës gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar ngrica në akset rrugore nacionale si dhe në zonat malore. Kjo ka bërë që firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen dimërore të punojnë gjatë gjithë natës dhe mëngjesit të sotëm duke pastruar e kriposur akset rrugore sidomos ato të Dardhës e Voskopojës por edhe pjesë të tjera të akseve nacionale ku ka pasur prezencë të ngricës.
Burime pranë OSHEE bëjnë me dije se sa i takon furnizimit me energji elektrike, janë zgjidhur problemet me energjinë elektrike në 3 bashki të qarkut, në Kolonjë, Devoll dhe në Maliq ku rreth 450 familje kanë qenë pa energji ndërsa aktualisht nuk janë raportuar të tjera probleme me energjinë.