Sigurimi i pronave është ende në nivele mjaft të ulëta në rajonin e Korçës. Sipas ekspertëve të fushës të siguruara nga zjarri apo tërmeti janë më pak se 3 apo 4% e banesave, ndërsa bizneset kanë një ritëm më të lartë sigurimi.
Eksperti Balli bën të ditur gjithashtu se për të siguruar pronën nga zjarri apo tërmeti vlera që qytetarët duhet të paguajnë në një vit është e përballueshme, por ajo që mungon është kultura e sigurimit.
Nga ana tjetër edhe sa i takon prodhimeve bujqësore të fermerëve, sigurimi i tyre është ende në hapat e para. Në rajonin e Korçës numërohen me gishtat e dorës fermerët të cilët kanë siguruar produktin e mollës, ndërsa edhe kompanitë e sigurimeve kërkojnë sipërfaqe të mëdha për ti siguruar.
Vitet e fundit edhe në rajonin e Korçës nuk kanë qenë të pakta zjarret në ndërtesa, apo edhe fenomene si tërmeti, apo breshëri në fusha. Pavarësisht kësaj qytetarët ende nuk janë të sensibilizuar në masë për të siguruar pronat apo bizneset e tyre.